Triple Helix
Home » NMVM & Eksporte » Inovacioni » Triple Helix
Çfarë është koncepti Triple Helix?
Modeli Triple Helix mbron tezën: Inovacioni vjen si rezultat i ndërlidhjes midis universitetit, biznesit dhe institucioneve qeveritare. Ky model përfshin bashkëpunimin trilateral në procesin e njohjes së kapitalizimit, në të cilin aktorët pranojnë rolin e njëri-tjetrit.
Inovacioni ndodh, pikërisht, në pikën e ndërlidhjes midis sferave institucionale, nëpërmjet ndërlidhjes së aktorëve të cilët marrin parasysh dhe pranojnë rolin e njëri-tjetrit.
Triple Helix
Qeveria
Biznesi
Universiteti
Triple Helix mbështetet në tre shtylla kryesore të cilat përqëndrohen, në: gjenerimin e mirëqenies, (të cilën e bën të mundur sektori i biznesit) krijimin e njohurive, (të cilin e bën të mundur universiteti) si dhe në ndërveprimin e qeverisjes, (të cilën e mundësojnë institucionet qeveritare dhe nismat e ndryshme të Qeverisë).
Katër janë grupet kryesore të aktorëve në modelet Triple Helix.
Të parët janë aktorët e Qeverisë, të cilët përfshijnë: ministritë e linjës, institucionet lokale, agjencitë e financimit, mbështetjes së NVM-ve, inovacionit dhe kërkim-zhvillimit.
Grupi i dytë janë aktorët e sektorit të biznesit me kompanitë si aktorë kryesorë, më pas shoqatat e bizneseve, klasterat, dhomat e tregtisë dhe industrisë, voucher-a apo grante private dhe “engjëj” biznesi.
Grupi i tretë i aktorëve janë institucionet e kërkim-zhvillimit, si: universitetet, insitutet kërkimore, qendrat e kërkimit akademik dhe qendrat e ekselencës.
Në fund janë ata që quhen lehtësuesit, (fasilitatorët) në procesin e Triple Helix. Midis lehtësuesve janë aktorët, si: zyrat e transferimit të teknologjisë, inkubatorët, parqet shkencore dhe teknologjike, si dhe qendrat e inovacionit.
Për t’u bërë pjesë e modeleve të suksesshme Triple Helix, aktorët e interesuar, është e nevojshme të mbajnë parasysh hapat kryesore, të mëposhtëm:
Hapi 1 - Hapësira e njohurive
Ky hap ka në fokus bashkëpunimin midis aktorëve të ndryshëm të Triple Helix për të përmirësuar kushtet lokale për inovacion duke u përqëndruar, kryesisht, në aktivitetet për kërkimin dhe zhvillimin.
Hapi 2 - Hapësira e konsensusit
Hapi i dytë mbështetet në faktin se idetë dhe strategjitë gjenerohen nëpërmjet diskutimeve për një “Triple Helix” të marrëdhënieve shumëpalëshe dhe reciproke midis institucioneve.
Hapi 3 - Hapësira e inovacionit
Në hapin e tretë, organet qendrore janë ato që duhet të përqëndrojnë përpjekjet që bëhen për të arritur qëllimet e dy hapave të mëparshme dhe themelimin apo tërheqjen e kapitalit sipërmarrës.
Nismat qeveritare apo politika të ndryshme që ndërmerren nga Qeveria, kanë fuqinë të ndikojnë në kushtet makro-ekonomike të inovacionit.
Disa shembuj të nismave qeveritare, që e ndikojnë dhe nxisin modelin Triple Helix, janë:
- Legjislacioni i pronësisë intelektuale, (IP).
- Mobilizimi i kërkuesve, (researches) nga sektori publik në atë privat.
- Krijimi i institucioneve (p.sh., zyra për IP, zyra të tansferimit të teknologjisë, inkubatorë, qendra inovacioni etj.).
- Instrumenta financues për kërkim-zhvillimin.
Në nivel më teknik, Qeveria dhe aktorët kanë fuqinë për të marrë disa masa, të cilat nxisin më tej lidhjet midis aktorëve të sistemit Triple Helix dhe zbatimin e mëtejshëm të këtij sistemi.
Disa nga këto masa mund të jenë:
- Skema “Innovation Vouchers”, (një voucher inovacioni ofron financim për bizneset që të punojnë me ekspertë të jashtëm, si p.sh., nga universitetet, organizatat e teknologjisë dhe kërkimit) për të zhvilluar ide inovative.
- Kontratat e konsulencës midis një akademiku dhe biznesit për t’i zgjidhur, këtij të fundit, një problem gjatë procesit të bërjes biznes.
- Kontraktimi i një projekti kërkim-zhvillimi.
- Ndarja dhe përdorimi i pajisjeve të kërkim-zhvillimit.
- Zhvillimi i një projekti inovativ të përbashkët midis aktorëve.
- Rritja e numrit të projekteve pilot të marrëveshjeve Triple Helix.
- Përfshirja e një shumëllojshmërie sektorësh.
- Ofrimi i granteve financiare për bashkëpunim në kërkim dhe zhvillim midis universitetit dhe biznesit.