Forum Diskutimi – Aksesi në Financë | Mbështetje për Produktet Shqiptare

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave organizoi sot një forum diskutimi mbi politikat e aksesit në financë dhe rolit që kanë për mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare.

Pjesë e këtij forumi ishin Z. Sokol Nano, Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Znj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Frida Krifca, Drejtore e AZHBR, Z. Matteo Colangeli, Përfaqësues i Përhershëm i BERZH për Shqipërinë, si edhe përfaqësues nga sipërmarrjet shqiptare, institucione financiare dhe donatorë të huaj.

Ky forum kishte si qëllim kryesor hapjen e diskutimeve me përfaqësues të sekorit privat të bizneseve dhe sektorit financiar për qasje të reja në financë në mbështetje të biznesit dhe promovimit të produkteve vendase.

Fjalën hapëse të forumit të diskutimit e mori Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s Z. Sokol Nano, ku theksoi asistencën që AIDA ofron për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) nëpërmjet informacionit dhe ndihmës teknike, apo partneritetit në thirrje të ndryshme, si edhe nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare me grante publike për NVM-të.

Gjithashtu, Z. Nano u shpreh mbi rëndësinë e krijimit të një bashkëpunimi dhe sinergjie të plotë midis institucioneve që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël dhe të mesëm.

Gjatë forumit u zhvillua edhe një sesion i hapur pyetje-përgjigje ndërmjet pjesëmarrësve të bizneseve, përfaqësuesve të panelit dhe institucioneve financiare ku u diskutua mbi politikat e aksesit në financë dhe mbështetjen e bizneseve shqiptare.

KTHEHU TEK EVENTET