THIRRJE “PËR APLIKIME PËR TË QENË PJESË E TRAJNIMEVE PËR UDHËRRËFYES TURISTIK KOMBËTAR PËR TË RINJTË TË MOSHËS (15 – 29 VJEÇ) DHE GRA, TË PAPUNË, NË ZONAT E BASHKIVE SHKODËR, VAU I DEJËS DHE MALËSI E MADHE”

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në kuadër të zbatimit të projektit “Aftësi për Punësim të Qendrueshëm dhe Rritje Ekonomike Gjithëpërfshirëse të Rajonit Ndërkufitar të Shqipërisë dhe Malit të Zi – Aftësi për Punësim Shqipëri – Mal i Zi”, shpall thirrjen për të gjithë të rinjtë të grupmoshës 15-29 vjeç, të papunë, dhe gra që nuk kanë njohuri dhe aftësi praktike për t’u bërë konkurues në tregun e punës në fushën e turizmit, për të aplikuar për të qenë pjesë e trajnimeve për udhërrëfyes turistik profesional kombëtar në Bashkitë Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe.

Pjesë e këtij trajnimi do të jenë gjithësej 5 (pesë) individë. Programi i trajnimit, do të fillojë në muajin shkurt 2024 dhe do të ketë një kohëzgjatje maksimale 4 (katër) mujore. Vendi dhe data e zhvillimit të trajnimeve, do të caktohen në vijim në dakordësi me subjektin i cili do të ofrojë programin e trajnimit.

Individët e përzgjedhur për trajnim, do të përfitojnë mbulimin e shpenzimeve që lidhen me trajnimin, në formën e dietave për të gjithë periudhën e trajnimit.

Në përfundim të trajnimit, çdo individ i trajnuar do të pajiset me certifikata nga subjekti që do të ofrojë këtë trajnim.

Pas përfundimit të këtij kursi, kandidatët do të fitojnë aftësi për kryerjen e punëve si: Guidë turistike, administrator dhe menaxher i një agjencie turistike, organizator turnesh etj.

Gjithashtu, kanditatëve që përfundojnë trajnimin me sukses dhe pajisen me certifikatë, do t’u mundësohet vizitë një-ditore në një qytet në zonën ndërkufitare me synimin për të marrë njohuri mbi eksperiencat e kolegëve të tyre në Malin e Zi. Kostot e udhëtimit do të mbulohen nga projekti.

Lista e dokumentave që duhet depozituar:

– Pashaportë, kartë identiteti/certifikatë lindje;

– Curriculum Vitae (CV) e aplikantit, e firmosur në fund të çdo faqe;

– Kopje të diplomës së arsimit të fituar;

– Certifikatë e njohjes e të paktën një gjuhe të huaj në nivelin B2 ose më të lartë;

– Numër telefoni dhe adresë emaili;

– Adresë vendbanimi;

– Vërtetim papunësie (nëse individi është i regjistruar në zyrën e punës).

Përparësi në përzgjedhjen e aplikantëve, do të kenë ata kandidatë, të cilët janë të papunë dhe që nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete të të njëjtit projekt më parë. Nëse të gjithë kandidatët aplikues plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara, do të përzgjidhen aplikimet e depozituara në një datë më të hershme.

Aplikimi dhe dërgimi i dokumentave do të bëhet nëpërmjet adresës elektronike info@aida.gov.al, brenda datës 29 janar 2024.

Për informacione të mëtejshme në lidhje më këtë thirrje, dërgoni email në adresën info@aida.gov.al

BACK TO NEWS