Aplikim për Grante

Si aplikohet për grante pranë AIDA-s?

Dorëzimi i kërkesave nga ndërmarrjet bëhet vetëm online nëpërmjet adresës elektronike të AIDA: ndermarrje@aida.gov.al.

Formatet e formularit të aplikimit, të buxhetit dhe deklarata në përputhje me parashikimin e dhënë në nenin 5 të ligjit nr. 43/2022 do të shkarkohen duke klikuar
ketu.

Formatet e aplikimit dhe dokumentacioni i kërkuar duhet të jenë në formatin pdf.

Dokumentacioni i kërkuar duhet të jetë kopje e skanuar nga origjinali.

Subjekti i e-mailit duhet të jetë: aplikim ndermarrje.

Pas dërgimit me e-mail të aplikimit, aplikuesi do të marrë përgjigje nëpërmjet një e-maili automatik, i cili do të konfirmojë marrjen e aplikimit.

Formatet do të plotësohen nga aplikuesi dhe së bashku me dokumentacionin e kërkuar do të dërgohen me e-mail në adresën: ndermarrje@aida.gov.al.

Njësia menaxhuese e grantit pranë AIDA merr në dorëzim dhe shqyrtim çdo aplikim të paraqitur nëpërmjet adresës elektronike dhe që plotëson kriteret e rregullores së grantit.

Pas këtij shqyrtimi, njësia menaxhuese informon dhe ia paraqet për vlerësim Bordit të vlerësimit.

Bordi i vlerësimit mblidhet për të shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aplikimet e mbërritura nga ndërmarrjet.

Në përfundim të procesit të shqyrtimit, Bordi plotëson raportin vlerësues për çdo aplikim duke marrë vendimin për secilin dhe përcakton nivelin e grantit për përfituesit e ndërmarrjeve.

Vendimi për aprovimin e grantit merret me shumicë votash dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët prezent në mbledhjen e Bordit të Vlerësimit.

Pas vendimmarrjes së Bordit, AIDA brenda 3 ditëve kalendarike njofton me e-mail ndërmarrjet e interesuara sipas formatit të miratuar nga AIDA, nëse:

  • Kërkesa është refuzuar nga Bordi, duke listuar edhe arsyet e refuzimit; ose
  • Kërkesa është miratuar nga Bordi.
  • Njoftimi për aplikuesit fitues dhe jo fitues do të bëhet nëpërmjet e-mailit me adresë: ndermarrje@aida.gov.al.

Pas njoftimit, ndërmarrja e shpallur fituese me vendim Bordi, paraqitet pranë AIDA-s, për të nënshkruar marrëveshjen kontraktuale për dhënien e grantit midis saj dhe AIDA-s.

Pagesa e fondit të përfituar bëhet me dy këste, në varësi të kohëzgjatjes dhe në përqindje të barabarta, por jo më shumë se 50% në fillim të projektit, kundrejt dokumentacionit dhe faturës/faturave, që vërtetojnë shpenzimet e kryera.

Bordi merr vendim për t’i paguar përfituesit këstin e fundit vetëm pas vlerësimit pozitiv të raportit përfundimtar të monitorimit dhe ecurisë të impaktit të projektit të financuar.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së grantit, ndërmarrja përfituese ka detyrimin të përmbushë tërësisht dhe në kohë projektin e miratuar. Nëse për arsye objektive ndërmarrja dëshiron të ndalojë realizimin e projektit pas nënshkrimit të kontratës, ajo i paraqesë paraprakisht AIDA-s një kërkesë për anulimin e kontratës dhe kthimin e shumës së përfituar në rast se janë bërë pagesa.

Ndërmarrjet e shpallura fituese bashkëpunojnë me AIDA-n për promovimin e skemave të grantit në vijimësi, duke dëshmuar shembullin e tyre në zbatimin e projektit fitues.

Nëse aplikuesi has paqartësi dhe vështirësi gjatë procesit të aplikimit, ai do të ndihmohet dhe këshillohet nga njësia përgjegjëse pranë AIDA.

Përgjegjësitë e Përfituesve

  • Respektojnë në mënyrë rigoroze dhe integrale të gjitha deklaratat e shprehura dhe angazhimet e përfshira në formularin e aplikimit.
  • Vënë në dispozicion të AIDA çdo informacion që lidhet me zbatimin e projektit;
  • Paraqesin te Njësia Manaxhuese e Grantit të AIDA-s një raport në lidhje me përfundimin e projektit, faturat origjinale për shpenzimet, si dhe çdo dokument të nevojshëm për të bërë të mundur kryerjen e pagesës;
  • Pranojnë çdo lloj monitorimi, vlerësimi dhe/apo auditimi për të cilat projekti i aprovuar mund të bëhet objekt, duke siguruar të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, pasi të jenë njoftuar 48 orë para.
  • Përfundojnë projektin brenda kohës së parashikuar në marrëveshje.

Konfidencialiteti

Në bazë të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i gjithë informacioni i dhënë nga aplikuesit për qëllim të përfitimit nga granti, veçanërisht e gjithë korrespondenca e shkëmbyer është konfidenciale dhe nuk do të zbulohet.

AIDA do të ruajë në mënyrë konfidenciale informacionet e marra nga ndërmarrjet.

Asnjë e dhënë e marrë për AIDA nga ana e aplikuesve nuk do t’u bëhet e ditur palëve të treta pa miratimin e tyre

Social Media